Uncategorized

Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ndaj shpifjes në lajmin e gazetës “Telegraf“

By Shkurt 25, 2019 No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dëshiron të sqarojë opinionin publik, se çdo dokument i dhuruar në AQSH, me përmbajtje të dhënash pronësore, prej vitit 2017 duhet të kalojë më përpara për verifikim nga Instituti i Policisë Shkencore. Kjo procedurë e re vjen për të garantuar që çdo dokument pronësor që dhurohet në arkiv të jetë i provuar mbi origjinalitetin e tij. Deri në vitin 2017, këto dokumente pranoheshin pa asnjë verifikim të mëtejshëm, pasi ky nuk është detyrim ligjor, por një masë e marrë me vendim të DPA-së, për të krijuar garancinë e procesit. Ne jemi të bindur se ky vendim ka lënë shumë të pakënaqur, që e shihnin rrugën e mëparshme si rrugën e shpejtë të falsifikimit të pronave. Për këtë, ne nuk presim asnjë lëvdatë, e njëherazi kemi marrë parasysh që mund të ketë sulme, sipas parimit “hajduti bërtet: kapni hajdutin“! Mirëpo, për aq kohë sa u shërbejmë qytetarëve me përkushtim e paanësi, këto sulme nuk mund të na ndalojnë!

Për sa më sipër, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndihet e detyruar të denoncojë publikisht shpifjen në numrin e sotshëm të gazetës “Telegraf“, për disa arsye:

1. Komisioni i Përhershëm i Ekspertëve pranë DPA-së shqyrton vetëm vlerën historike të dokumentit dhe për dokumentet përpara vitit 1944, sipas ligjit, të gjitha konsiderohen dokumente me Rëndësi Historike Kombëtare.
2. DPA nuk ka pranuar në asnjë rast fotokopje, por vetëm dokumente origjinale në arkiv.
3. Komisioni i Ekspertizës merr për bazë ekspertizën e institucionit të vetëm shtetëror për verifikimin e origjinalitetit të dokumentit që është Instituti i Policisë Shkencore, prej vitit 2017.
4. Publikimi i një hetimi, për të cilin DPA nuk ishte në dijeni, përbën një tendencë për prishjen e imazhit të institucionit dhe jo për gjetjen e së vërtetës.
5. Tituj abuziv si “arkiva në shërbim të mafies“, përbëjnë tendencën për të prishur imazhin e një institucioni të besueshëm në sytë e qytetarëve shqiptarë të cilët marrin shërbim të shpejtë e korrekt nga ky institucion.

Jemi të keqardhur që kujdesi ynë për rritjen e kontrollit mbi dokumentet e pranuara në arkiv, në vend të vlerësohej, po goditet në emër të qëllimeve për të abuzuar, qëllime të cilat DPA i ka penguar dhe do t’i pengojë me aq sa ka tagër ligjor.

Ftojmë, çdo individ dhe media, që dëshiron të ushtrojë presion ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për qëllime joligjore, të vijojë pa asnjë pengesë këtë “mision“. Njëherazi, i garantojmë që nuk do të kenë sukses në këtë „mision“. Ne presim me kënaqësi dhe zell të përballemi në gjykatë dhe në çdo institucion ligjor.

Leave a Reply