Uncategorized

Prezantohet “Arkivi on-line”, tashmë çdo dokument mund të merret nga shtëpia

By Nëntor 5, 2018 No Comments

Prezantohet “Arkivi on-line”, tashmë çdo dokument mund të merret nga shtëpia.

Dokumentet arkivore tashmë mund të merren on-line, përmes aplikacionit novator të prezantuar sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, nën kujdesin e Zëvendëskryeministres së Republikës së Shqipërisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Përmes këtij aplikacioni, studiuesit mund të porosisin nga çdo vend i botës, në çdo orë të ditës dokumentet që iu duhen dhe, pasi të kryejnë pagesën përkatëse, do të mund t’i marrin brenda 1-5 ditëve. Ky aplikacion e rendit arkivin shqiptar ndër më novatorët, teksa module të ngjashme ka në vendet më të zhvilluara botërore, si Britania e Madhe, Franca, SHBA, por është vendi i parë Ballkanik, pas Turqisë, që ndjek praktikat më të mira ndërkombëtare.

Moduli “Arkivat on-line” u prezantua sot gjatë një aktiviteti të zhvilluar me studiues e studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, ku përshëndetën Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, znj. Senida Mesi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Ardit Bido, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi dhe ishin të pranishëm dhjetra profesorë e të ftuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido, prezantoi modulin duke bërë edhe blerjen e parë on-line të kopjeve të dokumenteve. “Ky është një prej kulmimeve të strategjisë së digjitalizimit që kemi dy vjet për të cilin po punojmë. Fakti që module të ngjashme kanë vetëm vendet më të zhvilluara botërore dhe asnjë nga vendet e rajonit, na vendos në pararojë në Ballkan për të shërbyer sa më shpejt dhe sa më mirë studiuesit shqiptarë dhe të huaj, duke i dhënë hov zhvillimit të kërkimit shkencor në vend”, tha z. Bido.

Zëvendëskryeministrja znj. Senida Mesi theksoi se shërbimi më i shpejtë i çdo qytetari është një prioritet i qeverisë shqiptare. “Ky aplikacion mundëson që në çdo kohë të mund t’i shërbehen studiuesit, pavarësisht nëse zyrat shtetërore janë të hapura a të mbyllura”, theksoi ajo. “Ne garantojmë mbështetje të plotë për iniciativa të tilla novatore që, në fakt, vijnë në përputhje edhe me prioritetet e qeverisë shqiptare për digjitalizimin dhe inovacionin. Njëkohësisht, nxisim bashkëpunimin me politikëbërjen me qëllimin që t’iu përgjigjemi nevojave të tregut dhe të qytetarëve.”

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr Sabri Laçi, falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe vlerësoi bashkëpunimin e rëndësishëm mes dy institucioneve, duke evidentuar hapjen e Masterit Profesional në Arkivistikë këto 10 vitet e fundit, ku mbas diplomimit janë angazhuar të gjithë të diplomuarit në zyra të ndryshme të Arkivave të vendit.

Gjithashtu Drejtoresha e Inovacionit të Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Romina Kostani, tha se kjo risi kaq e rëndësishme e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave që sjell blerjen e dokumenteve on-line është po aq e rëndësishme edhe për ne si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.”