Uncategorized

“Magjia e Gramafonit” në Kalanë e Tiranës

By Mars 1, 2019 No Comments

Nën tingujt e këngëve të vjetra shqiptare, si ato të Fitnete Rexhës të regjistruara në pllakë gramafoni, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës çelën sot ekspozitën “Magjia e Gramafonit”, e që organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido, Ministria e Kulturës znj.Elva Margariti dhe zv/kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Andi Seferi.

Drejtori i Përgjithshëm Ardit Bido, në fjalën e tij tha se kjo është pasuri që na e kanë lënë të tjerët e që ne do t’ua lëmë pasardhësve. “Ne duam që çdo pasuri arkivore që e kemi, përfshirë edhe këto objekte muzeale që ndodhen në arkiv, të jenë të aksesueshme për publikun. Jo thjesht në kuptimin e konceptit të arkivave të hapura që kush të dojë të vijë, por të shkojmë ne te njerëzit, të shkojmë dhe të nxisim kureshtjen” tha Bido.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se është e bindur që aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe më tej, e që do ta shndërronin Kalanë në mjedis që dhuron momente relaksuese nga rutina e përditshme.

“Simboli i Kalasë që dikur ka qenë i mbyllur, me mure të rrethuara, tashmë e gjitha është e hapur për publikun dhe gjithçka kthehet në vend të kujtesës, vend ku mund të takohemi dhe tregojmë për të shkuarën, dhe ku ka më bukur se sa muzika, gramafoni. Aktivitete të tilla unë besoj dhe jam e bindur se do te jenë të shumta” tha Ministja Margariti.

Më 1986 koleksionisti britanik Martin Moir i dhuroi AQSh-së mbi 18,000 pllaka gramofoni, 20 gramofonë mekanikë dhe elektrikë mjaft karakteristikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka (gramafoni apo vinyl).

Kjo çoi në krijimin e Fonotekës së AQSh si sektor i zgjeruar. Në këtë ekspozitë paraqitet në origjinal koleksioni i fonografëve dhe gramofonëve, si dhe disa disqe gramofoni LP dhe vinyl-e. Përmes kësaj ekspozite AQSh shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve.

Në këtë fond gjenden të gjitha llojet e gjinive muzikore si muzika vokale, duke filluar nga kënga e thjeshtë dhe deri tek albumet operistike, muzikë instrumentale, simfonike, muzikë dhome, muzikë baletesh, filmash artistikë dhe të filmave për fëmijë.

Pjesë e dhuratës së vitit 1986 ishin edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramofonit dhe muzikës, disa prej të cilave u ekspozuan pranë koleksionit të gramofonëve.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 9 mars.

Leave a Reply