Uncategorized

Ekspozita Përmes një Urtësie të pashuar. Duke kremtuar Europën në Shqipëri: “Rrallësi dhe Larmi”

By Qershor 22, 2018 No Comments

Gjatë periudhës së Mesjetës pellgu i Mesdheut përbën një njësi kulturore më vete, pavarësisht përplasjeve ushtarake dhe politike mes Bizantit dhe Perëndimit latin, apo këtyre dy poleve me Lindjen e Mesme dhe arabët. Këto përplasje nuk mbyllën udhën e shkëmbimeve tregtare dhe kulturore, duke sjellë qarkullimin e kapitaleve dhe të kulturës. Në kontekstin kulturor dhe gjeografik viset e ilirëve – arbërve – shqiptarëve kanë qenë ngahera të qarkuar dhe përshkuar nga kulturat e kohës, vetë banorët ishin bartës, kultivues dhe transmetues të tyre. Kësisoj, kultura bizantine, latino-perëndimore, arabe, osmane dhe, më pas, Rilindja Europiane, janë pjesë të pandashme nga kultura e shqiptarëve të sotshëm, secila me masën e vet të ndryshme. Gjurmët e mbetura pas, deri në ditët tona, e vërtetojnë këtë. Fondet e Arkivit Qendror Shtetëror ruajnë një pjesë të kësaj trashëgimie të shumëçmuar librore, të dorëshkruar dhe të shtypshkruar, duke u kthyer në një pikëtakim faktik të veprimtarisë kulturore të njerëzimit. Koleksionet e dorëshkrimeve dhe librave të AQSh nga njëra anë dëshmojnë trashëgiminë e librit si objekt dhe tekstit si koncept hyjnor, juridik, letrar dhe filozofik, kurse nga ana tjetër pasqyrojnë pasurinë dhe larushinë më të veçantë të krijimtarisë artistike njerëzore.
Në ekspozitën:
Përmes një Urtësie të pashuar.
Duke kremtuar Europën në Shqipëri: “Rrallësi dhe Larmi”, sjellim dorëshkrime dhe shtypshkrime nga fonde të ndryshme të Arkivit Qendror Shtetëror, të cilat datojnë nga shek. VI (pas Krishtit) deri në shek. XIX. Librat që paraqiten janë shkruar në persisht, greqisht, latinisht, shqip, arabisht, osmanisht, janë shkruar me dorë apo shtypur në shtypshkronjë. Tematika e teksteve dominohet nga Shkrimet e Shenjta dhe teologjia, pasi dhe pjesa më e madhe e
librave që ka mbërritur ditët tona vjen nga altaret, tryezat apo raftet e tempujve ku adhurohej Zoti (kishave, xhamive, tyrbeve) apo nga bibliotekat e institucioneve fetare. Ndonëse më pak në numër, nuk mbeten pa u përfaqësuar në këtë ekspozitë dhe tekste që përmbajnë letërsi, jurisprudencë, filozofi, gjuhësi, fizikë, astronomi.
Kjo larushi kulturash, gjuhësh dhe tematikash është mëse e zakontë për Shqipërinë ballkanike. Në kohëra trazirash kjo larushi është përdorur për të përçarë njerëzit dhe vendet. Sot, në kontekstin europian, kjo pasuri është argumenti se shqiptarët janë pjesë integrale e Europës. Bibliotekat modeste të Shqipërisë së qëmotshme, apo Arkivi Qendror Shtetëror sot, natyrshëm kanë trashëguar pasuri të tillë, duke mbartur amalgamën e kulturës Perëndimore përpara se në Perëndim të përcaktohej koncepti “perëndim”.
Librat e dorëshkruar dhe të shtypshkruar që paraqesim në këtë ekspozitë nuk mbulojnë të gjitha tematikat apo periudhat historike të Mesjetës dhe Rilindjes dhe nuk kërkojnë të shprehin analogjinë e ndikimeve kulturore tek shqiptarët. Janë elementët e mbetur të një mozaiku të gjerë kulturor, nga i cili shohim fragmente të kohërave dhe vendeve të ndryshme, të mjaftueshme për t’i shfaqur publikut madhështinë e së shkuarës.

Hapur 04.05.-20.05.2018

Çdo ditë, ora: 10.00-22.00

Rr. Ibrahim Rrugova ish-Vila 31,