Uncategorized

Ekspozita “Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti”

By Prill 26, 2019 No Comments

“Aleksandër Moisiu, njeriu dhe artisti” është ekspozita që sjell për publikun fotografi dhe dokumente të panjohura më parë të aktorit shqiptar me famë botërore. Ato u shfaqën në “Center For Openness And Dialogue” (COD) ndërsa meritor kyç është studiuesi Pjetër Logoreci i cili në një periudhë 7 vjeçare mblodhi këto materiale nga arkivat austriake.

Ekspozita përmban 44 foto me imazhe të objekteve personale të aktorit si stampa e dorës, flokët origjinal, maska e tij e vdekjes, kurora e aktorit më të mirë të Europës si dhe disa foto nga ceremonia mortore e Aleksandër Moisiut në Vjenë. Bëhen publike për herë të parë gjithashtu edhe disa dokumente shkresore dhe korespodencë e tij personale, të cilat janë  mbledhur në vitin 1958 duke u dhuruar nga bashkëshortja e tij Joana. Këto dokumente janë pronë e muzeut kombëtar të teatrit austriak.

Pjesë e ekspozitës u bë edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me një pllakë të rrallë gramafoni, ku dëgjohet Moisiu duke interpretuar Faustin e Gëtes, monolog i regjistruar në Berlin, në vitin 1912.

Duke folur për Aleksandër Moisiun, Kryeministri Edi Rama tha se ky aktorë është është një dëshmi që jehon në çdo tipar të karakterit që sjellin fotot e tij se të jesh qytetar i denjë i botës, me kokën lart, kërkon gjithmonë pse jo që t’i kthehesh rrënjëve dhe në këtë rast Shqipërisë, me zemër dhe mos t’i qëndrosh me kurriz.

I pranishëm në këtë event të organizuar në Kryeministri ishte dhe ish-presidenti, Alfred Moisiu, i cili rikujtoi rëndësinë e artistit edhe në arenën ndërkombëtare.

Por kush ishte Aleksandër Moisiu?

Ai lindi në Trieste më 02 prill 1879. I ati i tij ishte shqiptar nga Kavaja, ndërsa e ëma arbëreshe. Që në moshën 19 vjeçare Moisiu shkoi në Vjenë ku iu përkushtua aktrimit, për të arritur më pas skenat botërore.

Më 1898 e nisi karrierën e vet si kompars (aktorë që luajnë rol të vogël) në Burgtheatër. Pastaj vijuan angazhime në teatër në Pragë dhe Berlin. Në Berlin Aleksandër Moisiu u pranua në seminarin e Max Reinhardt me të cilin shkoi në turne në Petersburg (1911). Atje u dallua për rolin e Edipit. Pas këtij suksesi ai u angazhua në shumë vende të Evropës dhe Amerikës Veriore.

Në vitin 1920 ishte i pari që në Lojërat Festive të Salzburgut (Salzburger Festspiele) luajti rolin kryesor në “Jedermann”.

Moisiu vlerësohej shumë nga publiku i tij për shkak të zërit të tij të bukur si dhe për angazhimin e tij emocional. Ai llogaritej sidomos në vitet para fillimit të Lufta e Parë Botërore si një nga aktorët më të mëdhenj në hapësirën gjermanofolëse.

Prej vitit 1910 e deri më 1935 mori pjesë në 10 produksione të filmave, 8 prej tyre ishin filma pa zë.

Në vitin 1935, pak kohë para vdekjes së tij, Moisiu kërkoi shtetësinë e Shqipërisë si dhe atë të Italisë. Shqipëria refuzoi këtë kërkesë, kurse Italia ia dha shtetësinë Moisiut, kur ai ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes

Vdiq më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë. Ai është i varrosur në varrezat e komunës së Morcote-së, pranë qytetit Lugano në kantonin e Tessin-it në Zvicër.

Leave a Reply