Uncategorized

Çelet ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”

By Prill 19, 2019 No Comments
Me ardhjen e Pashkëve Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Kalaja e Tiranës risjellin për publikun ekspozitën “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri”.
Në 28 pllakate paraqiten pamjet e fotografuara të 55 prej kodikëve që ruhen në koleksionet e Arkivit Qendror Shtetëror. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Kalasë së Tiranës në datat 18 – 30 prill 2019.
Kodikët mesjetarë të Fondit 488 të AQSh
  1. Përmbajtja dhe ndërtimi

Në fondin arkivor të AQSh ekziston një koleksion i veçuar dokumentesh, i emërtuar Fondi Kodikët e Shqipërisë, me numër 448, dhe përmban 117 dosje (apo njësi ruajtjeje). Këtu janë sistemuar e gjithë ajo pjesë e materialeve të AQSh që, në një moment të caktuar, është gjykuar si më e rëndësishmja apo më e veçanta. Nisur nga parimet e arkivistikës, asgjë dokument nuk është me më pak rëndësi se një tjetër; sidoqoftë, përzgjedhje të tilla edhe ndodhin në organizimin e brendshëm të një arkivi, qoftë edhe për arsye praktike. Nga këto dokumente, 115 janë të shkruara në gjuhën greke, 1 syresh në latinisht dhe 1 është i shkruar në greqisht, në pjesën më të madhe, por ka edhe disa fletë të shkruara në shqip (bëhet fjalë për Dosjen 99, që ndryshe quhet Kodiku i Madh i Korçës, i cili është regjistër i Mitropolisë së Korçës. Fletët në shqip, ato të fundit, janë shkruar nga Ilo Mitkë Qafëzezi.) Duke i bërë një saktësim numrit 117 të dhënë më sipër, do të shtoja se prej këtyre dokumenteve vetëm 100 prej tyre janë njësi të plota ose pothuaj të plota, pra, libra të ruajtur mirë dhe të pa dëmtuar shumë nga koha. 17 njësitë e tjera janë fragmente fletësh apo një numër fletësh, të cilat në disa raste janë pjesë e ndonjërit prej kodikëve.

Këta kodikë[1] Mesjetarë, ose, siç mund t’i quajmë më thjesht, këta libra, për periudhën kur përdoren janë të barasvlershëm me librat e sotshëm: u përgjigjeshin kërkesave të njerëzve për të këmbyer dijen, për ta përjetësuar atë, për ta transmetuar tek brezat pasardhës dhe për ta përdorur. Funksionet e tyre varen nga teksti që përmbajnë. Përmbajtja e librave Mesjetarë të Fondit 488 të AQSh ndahet në këto kategori:

1) Libra teologjikë, që ndahen në këto nënkategori:

  1. a) Libra të Dhiatës së Vjetër, prej të cilëve kemi vetëm tekste të librit të Psalmeve;
  2. b) Libra të Dhiatës së Re, që i kemi në tre forma: libra që përmbajnë tekstin e katër ungjijve dhe i quajmë Katërungjillësh, fragmente ungjillore që i quajmë Ungjillar[2], dhe Veprat e Apostujve.
  3. c) Ligjërata apo predikime të Etërve të Kishës, të cilët përmbajnë tekste të ndryshme teologjike, si fjalime, komente mbi ungjijtë, predikime, këshilla për jetën e krishterë apo për jetën murgjërore

ç) Jetë shenjtorësh dhe martirizime shenjtorësh. Këta libra, siç e thotë dhe titulli i tyre, përmbajnë jetëshkrimin e shenjtorëve të ndryshëm, ose rrëfime mbi mënyrën si kanë rënë dëshmorë persona të ndryshëm historikë, që në krishterim konsiderohen shenjtorë.

2) Libra liturgjikë dhe kishtarë. Këta përdoren gjatë ceremonive fetare, kryesisht brenda godinës së kishave, ku edhe ruheshin. Kjo kategori librash ndahet në:

  1. a) Menologion (leximet sipas muajit), i cili përmban fragmente ungjillore dhe përdoret në ndihmë të ungjillarit.
  2. b) Mineon (leximet e çdo muaji), i cili përmban kanonet dhe troparet, më thjeshtë, himnet që këndohen gjatë shërbesave kishtare.
  3. c) Sinaksar, që përmban variante të shkurtra nga jetët e shenjtorëve të ditës.

ç) Triod, që përmban troparet dhe kanonet e festave të lëvizshme fetare.

  1. d) Pendikostar, që përmban troparet dhe kanonet e Pendikostisë, e cila është periudha nga e diela e Pashkës, deri të dielën e Gjithë Shenjtorëve.
  2. e) Oktoih (libri i tetë tingujve), i cili përmban himnet që këndohen të shtunën dhe të dielën, në të tetë tingujt[3].

ë) Liturgji Hyjnore. Ky libër përmban format e ndryshme tradicionale të liturgjive hyjnore (ose të meshës), që janë tre të tilla.

3) Libra muzikorë, të cilët ndahen në:

  1. a) Stihirar.
  2. b) Eirmolog.
  3. c) Anastasimatar.
  4. d) Antologji muzikore.

Të gjithë këta libra, në dallim nga librat liturgjikë që u përmendën më sipër, përmbajnë gjithmonë edhe tekstin, edhe muzikën e gjithë shërbesave kishtare.

4) Libra filozofikë, që përmbajnë logjikë, hyrje në filozofi, fizikë dhe metafizikë, dhe traktate filozofike.

5) Libra juridikë. Këta libra zakonisht quhen nomokanone. Dy nga tekstet më të njohur juridikë të Mesjetës, që ndodhen edhe në AQSh, janë Nomokanoni i Vlastarit dhe Nomokanoni i Manuel Malaksosit.

Për të shkruar tekstet e mësipërme është përdorur permagena dhe letra. Pergamena (gjithmonë, ajo e përdorur për këta libra) ka zakonisht ngjyrë të bardhë ose pak si të verdhë. Janë përdorur të gjitha llojet e pergamenës, që nga ajo e purpurt, pergamenë që përdorej vetëm me urdhër të perandorit dhe për dokumente perandorake, deri tek palimpsesti, pergamena e përdorur më shumë se 1 herë. Bie shpesh në sy pergamena e bardhë luksoze, e përpunuar në mënyrë të shkëlqyer, si në rastin e kodikut të Korçës nr. 92, apo të kodikut të Vlorës nr. 10, shenjë treguese se librat e kanë prejardhjen nga scriptorium-et e qendrës së Perandorisë Bizantine. Kurse për librat e shkruar në letër janë përdorur të dy tipet e letrës së zakonshme për kohën, letra orientale (quhet edhe letër arabe apo bombicin), dhe letra perëndimore (që prodhohej me një teknologji të njëjtë si letra orientale, por e modifikuar dhe e përmirësuar në Itali, fillimisht në Fabriano, nga ku u shpërnda në gjithë Evropën perëndimore). Teksti shkruhet gjithmonë me dorë, nëpërmjet një kallami të mprehur në majë, apo nëpërmjet pendëve të shpendëve, të përshtatura për shkrim. Maja e penës apo pendës (shpesh këto emërtime ngatërrohen njëri me tjetrin) ngjyhej pak në bojë dhe pastaj me të shkruhej mbi pergamenën apo letrën (në raste të tjera edhe mbi papirusin) e mbështetur mbi gju, dhe jo në tryezë. Është interesant fakti se, në Mesjetë, tryeza, apo bangoja e punës, përdorej për të vendosur mjetet e nevojshme për shkrimin ose kopjen amë nga i cili kopjohej teksti, dhe jo librin e ri që po shkruhej. Bojërat, zakonisht, përftoheshin nga lëndë natyrore: kryesisht përdorej bloza dhe kjo bojë quhej atramentum ose encaustrum, e cila përzihej me rrëshirën e palmës (e quajtur edhe gomë arabe). Në kohë dhe vende të ndryshme kësaj përzierjeje i shtohej lëndë nga lëvorja e lisit apo kripëra minerale (si sulfati blu). Analogjia e këtyre përbërësve përcaktonte dhe nuancat e bojës, duke e bërë të zezë të fortë, kafe apo kafe të çelët.

Për dekoret e dorëshkrimeve janë përdorur, zakonisht, ngjyra të ndryshme nga ajo e tekstit kryesor. Haset shpesh boja e kuqe, e kaltër, blu e errët, e verdhë, etj., të cilat, po ashtu, prodhohen nga përbërës natyrorë, nga bimët, insektet apo gjallesat e detit. Në kodikët që hyjnë në kategorinë e librave të luksit, hasim dhe dekoret ku është përdorur gjerësisht ari, qoftë në disa germa, qoftë në miniatura.

  1. Pak histori

Historia e librave mesjetarë, nga bangoja e shkruesit, deri në ditët, kalon nëpër shumë peripeci, mes zjarreve të luftës apo të rastit, nëpër duart e tregtarëve apo të grabitësve, nëpër raftet e bibliotekave dhe kushteve klimatike jo gjithmonë të favorshme. Sidoqoftë, duhet të kënaqemi me faktin që sot në botë janë regjistruar 40 000 dorëshkrime mesjetare dhe pasmesjetare. Në Shqipëri, siç e thashë, kemi 100 kodikët e Fondit 448, historia e të cilëve është e vështirë të thuhet me siguri. Shumë hipoteza janë hedhur deri më sot mbi historikun e tyre, shpesh euforike dhe të pa argumentuara shkencërisht. Përgjigja e plotë mbi prejardhjen e këtyre kodikëve, mbi udhëtimin që kanë kryer nga dora e shkruesit deri në AQSh, do ta kishim të plotë pas studimit të hollësishme të çdonjërit libër dhe, mes të tjerash, krahasimit me sivëllezërit e tij nëpër botë. Nisur nga gjurmët që kanë lënë këta kodikë në kohë, në vija të përgjithshme, historia fillon kështu:

“… Skuripeqi i fali manastirit të Teologut të madh dhe [kishës së] Shën Gjergjit 27 libra, më të zgjedhurit dhe më të rëndësishmit. Kur serbët plaçkitën Beratin, ngritën gjithçka përpjetë; kur varnin majtas e djathtas rrënojat jashtë Kalasë, papa Teoduli, që shërbente në një famulli të vogël, iu lut atij [Skuripeqit] dhe e çoi deri tek kulla që ndodhet pranë portës së madhe të Kështjellës. I shpëtuan këta 27 libra dhe i mbajtën ngarkuar në pjesën e brendshme të kullës, duke bërë 4 rrugë vetë hieromonaku, duke mbajtur në shpinë dhe në duar nga dy libra. Kurse shokët e tij plaçkitnin dhe rrinin indiferentë. Vëllezërit e hieromonakut u larguan, sikundër edhe gjithë banorët e Kalasë. … [Kjo ndodhi] në vitin 6864 [1356].”

Më poshtë shkruesi, sipas të gjitha gjasave vetë Teoduli, i cili e quan veten herë “papa” (prift), herë “hieromonak” (prift-murg), rendit librat duke i emërtuar, si dhe disa objekte të tjera kishtare, të cilat ai vetë, bashkë me Skuripeqin, i shpëtuan nga plaçkitja. Ky shënim, siç na e jep shkolltarit francez Pierre Batiffol[4], ndodhet në kapakun e Diptikut të Shën Gjergjit, dorëshkrim i fund shekullit XIV, të cilin sot nuk e zotërojmë. Ky mund të quhet dhe katalogu u parë i dorëshkrimeve të Beratit, “katalog” në thonjëza, sigurisht.

Qysh prej datës 1356 dhe deri në mes të shek. XIX nuk kemi asnjë informacion për ekzistencën e librave mesjetarë në Shqipëri. Më 1868 Anthim Aleksudhi, Mitropoliti i Mitropolisë së Beratit boton librin me titull Përshkrim i shkurtër historik i Mitropolisë së Beratit, ku, veç të tjerash, përshkruan dhe disa dorëshkrime, mes tyre 3 në pergamenë të purpurt. Është shumë e lehtë për t’u kuptuar se dy prej tyre janë ato dorëshkrime që sot i njohim si Beratinus 1 dhe Beratinus 2, kurse të tretin e konsiderojmë të humbur. Ky libër bëri që vëmendja e studiuesve të kohës të kthehej nga Berati. Për të studiuar thesaret e Kalasë së Beratit niset Pierre Batiffol, që e përmendëm më sipër, i cili gjithë vëzhgimet e tij i botoi më 1887. Në artikullin e vet, Batiffol përshkruan 16 kodikë që ndodhen në Kalanë e Beratit dhe transkripton të gjithë tekstin e Beratinus 1, të cilin e boton në artikull. Nëse Batiffol-it i njihet merita e sjelljes në dorë të studiuesve perëndimorë teksti i Beratinus 1, pa asnjë kundërshtim Anthim Aleksudhit i njihet merita e prezantimit botërisht të një kodiku që nuk njihej në kohën e tij. Ky i fundit, duke ndjekur shembullin e Batiffol-it, në vitet 1896-1901 vazhdon të botojë pjesëza të një katalogu të kodikëve që ndodhen në Mitropolinë e Beratit.

Gjatë shek. XX historia na sjell më shumë informacione për kodikët e atij që sot është F 448. Këtyre librave u referohet më pas Ilo Mitkë Qafëzezi në artikujt e ndryshëm të tij, si dhe Nikos Veis, studiues grek, i cili ndodhej në Gjirokastër dhe në zonat përreth gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 1951 Veis bonon “Katalog i dorëshkrimeve dhe i librave të shtypur të Mitropolisë së Gjirokastrës”. Nga dorëshkrimet që përshkruhen prej tij, vetëm 1 nga ata ndodhet sot në AQSh.

Në vitet ’50 të shek. XX këta libra filluan, pjesë-pjesë, të sillen në Arkivin e Shtetit (ky ishte emri që mbante arkivi në atë kohë), prurje e cila vazhdoi deri në vitet ’80. Këtu u bë për herë të parë dhe një inventarizim i këtij koleksioni, si dhe u përgatitën pasaportat shoqëruese të çdo dokumenti, ato që sot përbëjnë “Katalog i kodikëve të AQSh” hartuar nga i ndjeri Theofan Popa.

  1. Vlerat dhe të veçantat e librit mesjetar

Pas këtyre informacioneve, natyrshëm lind pyetja: Ç’na duhen sot këta libra, pse duhet të shpenzojmë kohë dhe para me ta, dhe jo me diçka tjetër? E para, siç dhe e thashë më sipër, nuk janë libra të zakonshëm, por janë libra që bartin një traditë të caktuar tekstesh, na flasin për mënyrën e ndërtimit të librit para Gutenberg-ut, por edhe pas shpikjes së shtypshkronjës. Transmetojnë një traditë të gjatë dhe shumë të ndërlikuar të materialeve me të cilat është prodhuar libri, si dhe janë objekt i gjerë studimi i historisë së artit. E dyta, këta libra u mbijetuan shekujve, në luftë apo paqe, u lakmuan nga shumë vetë, shërbyen si objekt që trajtohej me respekt të veçantë dhe u atribuoheshin vlera të veçanta. Bashkë me pasuritë e tjera që na kanë lënë paraardhësit, na lanë edhe këta libra, të cilët janë pjesë e identitetit tonë si popull.

Më tej, po të flasim për vlerat specifike që bartin, mund të thoshim shumë gjëra. Në këtë koleksion kemi një potpuri tiparesh të veçanta që bartin, zakonisht, librat e Mesjetës. Mënyra e shkrimit, vijëzimet e fletëve, forma e dekoreve, ngjyrat e përdorura, kapakët, emrat e shkruesve dhe vendet e shkrimit janë tipare të përgjithshme që e bëjnë çdo kodik të F 448 të papërsëritshëm. Ndryshimet më të dukshme i hasim, p.sh., tek dekoret, çka të orientojnë për nga ndikimi kulturor që ka pasur dekoruesi i kodikut në fjalë, apo tek forma e shkrimit, elementë këta që tregojnë edhe datën e kodikut. Më pas, mënyra e lidhjes dhe kapakët tregojnë me përafërsi zonën gjeografike ku janë punuar kapakët. Ose, më tej, mënyra si numërtohen fletët apo fashikujt, shenjat e ndryshme dalluese që vendosen përgjatë tekstit për të ndihmuar lexuesin, edhe këto janë tipare të zonave të ndryshme ku janë punuar kodikët. Shprehur në terma të përgjithshëm, kodikët e F 448 u përkasin disa zonave të ndryshme. Kemi kodikë me prejardhje perandorake (Konstandinopoja ose qendrat e mëdha përreth saj), kodikë nga zona e Epirit (vija në perëndim të maleve të Pindit dhe më në veri të tyre), si dhe kodikë që i përkasin zonës së Otrantos (gadishulli Apenin).

Fatkeqësisht, jo të gjithë kodikët përmbajnë informacion të saktë mbi datën e shkrimit, shkruesin dhe vendin e shkrimit. Është mëse e zakonshme që, fleta e fundit e kodikut, ku ndodhen këto informacione, të jetë dëmtuar ose këputur. Megjithatë, disa informacione të këtij lloji i kemi ende. P.sh., sipas shënimit në fund të kodikut, Minai ka shkruar kodikun nr. 10 të Vlorës, murgu dhe dhjaku Joanik ka shkruar kodikun e Beratit nr. 21, Mihail Slavopuli ka shkruar kodikun e Beratit nr. 23, Joan Halkeopuli ka shkruar kodikun e Beratit nr. 34, Teodori, logotet i Beratit, i burgosur në kështjellën e Skraparit, ka shkruar kodikun nr. 50 të Beratit, Joani, i biri i të ndjerit Gjergj, ka shkruar kodikun nr. 60 të Beratit, Nikolla, prift në Voskopojë ka shkruar kodikun nr. 84 të Voskopojës, etj. Interesant është rasti i kodikut nr. 66 të Beratit, një nomokanon i kopjuar në vitin 1612 nga Gjinoja, prift dhe ikonom i Pogonit. E veçoj këtë rast sepse emri “Gjino” është një emër tipik shqiptar që në këtë rast e hasim në zonën e Pogonit.

Përgatiti: Sokol Çunga

[1] Emri “kodik” vjen nga lashtësia dhe ka dy kuptime: codex quheshin fletët e bimëve, zakonisht të palmave, që përdoreshin si material për të shkruar, por edhe pllakat e dërrasës të mbuluara me një shtresë dylli, që përdoreshin edhe këto për të shkruar, të vendosura njëra mbi tjetrën (zakonisht jo më shumë se 4 të tilla) dhe të lidhura nga njëra anë.

[2] Fjalëformim i yni, për t’iu përgjigjur termit ekzistues në greqisht Ευαγγελιστάριον apo në anglisht Lectionary. Ungjillari është një libër i cili përmban pjesët ungjillore që lexohen në shërbesat kishtare gjatë festave të ndryshme fetare të vitit.

[3] Muzika bizantine përmban tetët “tinguj”, të cilët janë tetë melodi bazë, mbi të cilat zhvillohen variacione të ndryshme, por gjithmonë i referohen melodisë fillestare.

[4] Les manuscrits grecs de Bérat d’Albanie et le Codex Purpureus Ф, tek: “Archives des missions scientifiques et littéraires”, 3e série, Paris, 13 (1887), 437-556.

 

Leave a Reply