Category

Uncategorized

Përfundon procesi i Deklasifikimit të 600 mijë dokumenteve sekrete në DPA

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave njofton të gjithë studiuesit, se ka përfunduar tërësisht procesi masiv i deklasifikimit të dokumenteve që kanë qënë sekret deri më sot, për të cilin ka punuar gjatë vitit të kaluar një staf prej 8 arkivistëve më të mirë të vendit.

Prej ditës së sotme do të mundet të aksesohen  lirisht më shumë se 48 mijë dosje dhe 600 mijë dokumente nga viti 1945-1993 ,nga fondet e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryeministrisë, fondet personale të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. Fondet e ish-arkivit të partisë, fondet e ministrive, të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë dhe të organeve të tjera qendrore.

Proçedura e deklasifikimit e ndjekur me rigorozitet siguron që dokumentet që kishin mbetur të deklasifikuara prej kohësh pa asnjë arsye reale, por vetëm sepse nuk ishte ndjekur proçedura e nevojshme burokratike, do të jenë të aksesueshme për të gjithë studiuesit e vendit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave siguron edhe njëherë studiuesit se do të gjejnë një shërbim të shpejtë e cilësor në sallën e re të studimit në AQSH.

Prezantohet salla e re dhe sistemi elektronik i arkivave. Tashmë, gjithçka me një klik.

By | Uncategorized | No Comments

Mbi 200 milionë dokumente arkivore për shqiptarët dhe historinë e shtetit shqiptar, deri dje vështirësisht të depërtueshme, sot janë lehtësisht të aksesueshme falë jo vetëm transformimit të ambienteve, por edhe sistemit të  dixhitalizimit të dokumenteve arkivore. Tashmë kushdo i interesuar mund t’i kërkojë dhe konsultojë online ato përmes aplikacionit të ngjashëm me modulet e vendeve më të zhvilluara. Sikundër mund të aksesohen lehtësisht në institucionin arkivor, ku mjaftojnë vetëm 20 sekonda për t’u pajisur me  kartën e përdoruesit, sipas kategorive, çka u mundëson aksesin në çdo dokument.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot, ambientet e reja tërësisht të modernizuara të Arkivit Shtetëror, ku të pranishëm ishin edhe studiues dhe historianë.  Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, theksoi se dixhitalizimi ka rritur sigurinë në ruajtjen e dokumenteve origjinalë, por njëherësh i ka bërë edhe më të hapura arkivat për publikun, duke shpjeguar edhe procedurën online të regjistrimit dhe kërkimit të dokumenteve.

“Ajo çfarë bëhet, në fakt, është shumë e thjeshtë. Mjafton një fotografi. Vendoset për printim kjo kartë dhe mbaron e gjithë procedura në një periudhë prej 20 sekondash. Karta do vetëm 20 sekonda që të printohet. Printohet vetëm 1 herë në vit. Është falas. Arkivi online mund të bëhet nga shtëpia dhe është me pagesë,” shpjegoi Bido.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas Bidos, janë bërë investime sa në 20 vite bashkë. “Për herë të parë janë bërë aq shumë investime në arkiv, sa në 20 vite sëbashku, gjatë Vitit të Skënderbeut dhe kemi arritur që të mundësojmë disa ndryshime tërësore për studiuesit dhe studentët veçanërisht. Ne kemi rritur prej qershorit kapacitetin skanues, nga 600 dokumente në ditë në 11701 dokumente në ditë. Pra, në 10 ditë pune ne skanojmë aq sa skanohej në një vit. Nuk ka më vonesa artificiale. Ky është ndryshimi thelbësor në pikëpamjen e sistemit,” shtoi ai.

Kryeministri Rama përgëzoi ekipin e DPA për modernizimin e dhe transformimin e Arkivës së Shtetit. “Kjo është një punë e mirë e vitit të Skënderbeut, se u bë shkak për t’u fokusuar më shumë dhe për ta adresuar një plagë të vjetër të rëndë. Fakti që tani gjithçka është e digjitalizueshme, edhe origjinalet nuk janë më e vetmja mundësi, është garanci e madhe për ruajtjen e tyre. Ndërkohë që patjetër duhet të përfundojmë atë të garantimit të të gjithë dokumenteve origjinalë në atë territorin e Shkozës dhe sigurisht të vazhdojmë me elementët e tjera që kanë të bëjnë me krijimin e të gjithë hapësirës komplekse dhe gjysmë rekreative për orët, ose momentet e pushimit. Por gjëja më e rëndësishme është që u arrit të mbrohet ajo që i mbijetoi deklasifikimit, nga pikëpamja materiale, jo nga pikëpamja përmbajtjesore,” deklaroi Kryeministri Rama.

Historiani Paskal Milo evidentoi faktin se kjo hapje e plotë e Arkivit është shumë e mirëpritur dhe u vlen shumë studiuesve. “Pas Luftës së Dytë Botërore arkivi, siç u ndërtua si strukturë, i hapur ka qenë për studiuesit, por ka qenë shumë i kufizuar në numër dhe në shfrytëzim dhe në rregullat e shfrytëzimit të arkivit. Ka qenë trajtuar pak a shumë si institucion sekret. Që të hyje në Arkivin e Shtetit para 50 vitesh, d.m.th., duhet të kishe autorizime të veçanta dhe kaloje në vrimën e gjilpërës. Pastaj erdhi duke u liberalizuar, derisa Arkivi tashmë është bërë i hapur për të gjithë studiuesit”.   

“Më në fund kemi arkiva digjitale për të gjithë. Sigurisht zgjidhen problemet e studiuesve shumë mirë, por, mbi të gjitha, arkiva bëhet e aksesueshme për të gjithë shtresat e popullsisë. Aspekti i dytë është kujdesi infrastrukturor, që me këto problematika që ka dhe vendi, mbështetja që iu bë propozimit të Këshillit dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave për sistemimin e vendruajtjes së arkivave në Shkozë është një lëvizje, e cila duhet të vazhdojë me investime të tjera,” u shpreh z. Vasil Tole , anëtar i Këshillit të Lartë  të Arkivave

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave është pajisur edhe me laboratorin i ri të restaurimit. “Një investim i bërë në kuadrin e Vitit të Skënderbeut dhe ka të bëjë pikërisht me ruajtjen e dokumenteve dhe restaurimin e tij. E kemi trajnuar gjithë stafin e restaurimit një muaj në laboratorin më të mirë në Europë, që është laboratori i Stambollit. Së dyti, kemi investuar në lëndën e parë, sepse sot restaurimi nuk është më një proces që ndërhyhet shumë lehtë, është një proces ku tenton t’i ruhesh sa më shumë origjinalitetit,” u shpreh Drejtori Bido.  

Zhvillimet teknologjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave kanë sjellë edhe përafrimin e arkivave shqiptare me arkivat euvropiane. DPA është bërë pjesëtare me të drejta të plota e Fondacionit të Portalit të Arkivave Evropiane. Kjo e bën arkivin shqiptar të parin vend të Ballkanit Perëndimor pjesë e Portalit të Arkivave Europiane.

Prezantohet Laboratori Qendror i Ri i Restaurimit

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prezantoi sot Laboratorin i Ri Qendror të Restaurimit si strukturë e re ku do të përqëndrohen proçeset e Restaurimit jo vetëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë por edhe jashtë. Ky prezantim u bë në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave  z.Ardit Bido dhe Kryeshefit të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës z. Ram Manaj në vazhdimësi të bashkëpunimit mes dy institucioneve për restaurimin e dokumenteve. Laboratori i Restaurimit ka për qëllim konservimin, rimëkëmbjen, rehabilitimin, rikuperimin dhe shpëtimin e dokumentave të dëmtuara për konsolidimin e dokumenteve të rëndësishëm, kulturore, historike, nga ana fizike dhe estetike.

Degradimi dokumenteve na bën bashkë me një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës për të ruajtur historinë tonë duke i shpëtuar dokumentet nëpërmjet metodave të reja të modernizuara me mjetet dhe teknologjinë  e përdorur për restaurim, ku ka siguruar fondet e domosdoshme (nga buxheti i shtetit) për të kryer investime në këtë Laborator. Ky investim për pajisjet dhe mjetet e punës më bashkëkohore, dhe mbi të gjitha në trajnimin e punonjësve në laboratorët më të mirë të huaj, mundëson hapjen e rrugës që çdo dokument i historisë kombëtare, qoftë në Shqipëri, në trungun kombëtar a në diasporë” -tha z.Bido.

Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës z. Ram Manaj e cilësoi restaurimin e dokumenteve si e ardhmja e Arkivit dhe ndihmesë për studiuesit si pjesë e ruajtjes së dokumentacionit.

Në fund të prezantimit Përgjegjësja e Sektorit të Restaurimit shpjegoi proçeset që kalon një dokument gjatë fazës së restaurimit.

Hiqet logoja e VMGJK-së në shkresat zyrtare

By | Uncategorized | No Comments

Në zbatim të vendimit të Komisionit Shtetëror për Vitin Mbarëkombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeut, Këshilli i Lartë i Arkivave miratoi para një viti vendimin nr. 12, që modelet e dokumenteve administrative të përmbanin Logon Kombëtare në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot-Skënderbeut” e detyrueshme për zbatim nga gjithë administrata shqiptare. Nga dita e sotme dokumentet zyrtare nuk do të kenë më këtë logo.

Çelet ekspozita, “Një Komb, një ABC” në Shkup

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mori pjesë në Festimet Qendrore të 110-vjetorit të Kongresit të Mastirit, të zhvilluara në Shkup. Festimet e organizuara nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë përfshinin dhe prezantimin e një ekpozite të përgatitur nga DPA me dokumente dhe foto me momentet dhe personalitet që morën pjesë në Kongres. Ekspozita u prezantua në prani të presidentëve Meta dhe Thaçi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, si dhe përfaqësues të lartë të elitës politike e kulturore shqiptare në Maqedoni. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido theksoi se Kongresi i Manastirit është një ngjarje kulmore e para pavarësisë, që pasqyrohet në ekspozitë përmes dokumentave dhe fotografive origjinale të ruajtura në AQSH. Espozita pati një interes të madh nga shqiptarët që banojnë në Shkup.

Botohet Revista e Dytë e Përbashkët Arkivore “Bashkimi i Praktikave Arkivore Shqipëri-Kosovë”

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës promovuan sot në Pallatin e Kongreseve Salla Ovale, Revistën Arkivore si botim i përbashkët i dy arkivave, pjesë e përpjekjes së unifikimit të punës arkivore në të gjitha Trevat Kombëtare. Ky Promovim Reviste u zhvillua edhe me rastin e Panairit të 21 të Librit ku Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave morri pjesë pas 6 vjetësh mungesë me botimet Arkivore ndër vite.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dy drejtorat e dy institucioneve kryesore Dr. Ardit Bido Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave Shqiptare, z. Ramë Manaj, Kryeshef i Arkivave të Kosovës, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri z.Sylë Ukshini dhe znj. Pranvera Dibra Drejtoreshë e Arkivit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, arkivistë dhe studiues të fushave të ndryshme.

“Kemi sot kënaqësinë të prezantojmë në numrin e dytë Revistën e Përbashkët Arkivore për të bashkuar energjitë tona që të kemi mundësi të lëmë të shkruar botime dhe studime që do të shërbejnë për të ardhmen. Kjo pjesë është një bashkëpunim i vyer dhe i rëndësishëm ndërmjet Arkivave Shqiptare dhe Arkivave të Kosovës,  një bashkëpunim që ka dekada që është aktiv por që ne jemi përpjekur që gjatë viteve të fundit ta konkretizojmë nëpërmjet bashkëpunimeve të cilat kanë pasur gjithmonë produkte,dhe sot bashkuam gjithë fuqitë tona në mënyrë që në këtë rrugë shkencore të shkëmbjemë informacione me njëri tjetrin për të pasur një të ardhme të të dyja arkivave në të gjitha hapësirat shqip folëse të përbashkëta. Kemi një trashëgimi të vyer nga Agjencia e Arkivave të Kosovës dhe po ashtu kemi produktin e përbashkët të arkivistëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë që e pasurojnë duke arritur në këtë produkt”- tha z. Bido duke i kaluar fjalën Kryeshefit të Arkivave të Kosovës z. Ramë Manaj.

“Me rastin e ditës së sotme, të Promovimit të Revistës së Përbashkët Arkivore, është një ditë e shënuar sidomos për arkivat e Kosovës që nesër do të jetë histori. Arkivat janë shkencë me të ardhme të ndritur, dhe bashkëpunimi me Arkivat e Shqipërisë ka plotësuar zhvillimet e arkivistikës. Nga viti që vjen diçka të ngjashme do ta bëjmë dhe në Prishtinë dhe bashkëpunimi nuk do të jetë vetëm në Shqipëri –Kosovë por dhe në treva të tjera Shqiptare” -tha z. Manaj duke falenderuar dhe një herë Drejtorinë e përgjithshme të Arkivave për këtë bashkëpunim të vyer.

Gjithashtu përshëndetën me fjalët e tyre znj. Pranvera Dibra, Drejtoresha e Arkivit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri z.Sylë Ukshini, Dr. Endrit Musaj, Drejtor i Drejtorisë së Inspektim Trajnimit, Prof. Ilira Çaushi, Drejtorishë e Institutit të Studimeve Evropiane si dhe anëtare e KLA-së si dhe znj. Sonila Boçi, studiuese në Akademia e Studimeve Albanologjike.

Arkivi Shqiptar bëhet pjesë e Portalit të Arkivave Evropiane

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prej pak ditësh ka plotësuar kriteret dhe është bërë pjesë e organizmit më vital të Bashkimit Evropian në fushën e arkivave,” Portalit të Arkivave Evropiane”.

Zhvillimet teknologjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave përveç rezultatit konkret ndaj studiuesve dhe rritjen e mundësive për shkëmbimin e materialit arkivor kanë sjellë edhe përafrimin e arkivave shqiptare me arkivat evropiane.

DPA është bërë pjesëtare me të drejta të plota e Fondacionit të Portalit të Arkivave Evropiane, një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian ku janë të përfshira të gjithë arkivat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe CEFTA-s.

Vendimi i marrë më 9 nëntor për pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota, e bën arkivin shqiptar të parin vend të Ballkanit Perëndimor pjesë e Portalit të Arkivave Evropiane.

Ky pranim është për ne si shqiptarë një tregues i njohjes së përpjekjeve të vazhdueshme të viteve të fundit për modernizimin e arkivave dhe rritjen e përdorjes së teknologjisë si forma e së ardhmes në shërbimin arkivor. Po ashtu, përbën një mundësi të veçantë të shkëmbimit mbarë evropian të materialeve arkivore në shërbim të historisë kombëtare dhe historisë evropiane.

Shpërndahen certifikatat e pjesëmarrjes së studentëve të Albanian University

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përfundoi  në bashkëpunim me Albanian University projektin për digjitalizimin e katalogëve të Arkivit Qendror Shtetëror duke pajisur te gjithë studentët me çertifikatat përkatëse.

Ceremonia u bë në mjediset e Albanian University ku dhe u krye ky proces. Te pranishëm ishin Rektore e këtij Univeristiteti, Prof. Dr. Vera Ostreni (Halili) , Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido dhe Prof.Dr Kaliopi Naska, Dekane ee Fakultetit të Shkencave Shoqërore në këtë Universitet.Pas dhenies së certifikatave Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr.Ardit Bido prezantoi përpara studentëve aplikimin online për marrjen e dokumenteve, gjithashtu ftoi studentët të përfitojnë nga kjo risi dhe të frymëzohen për të zgjedhur temën e diplomimit.

Prezantohet “Arkivi on-line”, tashmë çdo dokument mund të merret nga shtëpia

By | Uncategorized

Prezantohet “Arkivi on-line”, tashmë çdo dokument mund të merret nga shtëpia.

Dokumentet arkivore tashmë mund të merren on-line, përmes aplikacionit novator të prezantuar sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, nën kujdesin e Zëvendëskryeministres së Republikës së Shqipërisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Përmes këtij aplikacioni, studiuesit mund të porosisin nga çdo vend i botës, në çdo orë të ditës dokumentet që iu duhen dhe, pasi të kryejnë pagesën përkatëse, do të mund t’i marrin brenda 1-5 ditëve. Ky aplikacion e rendit arkivin shqiptar ndër më novatorët, teksa module të ngjashme ka në vendet më të zhvilluara botërore, si Britania e Madhe, Franca, SHBA, por është vendi i parë Ballkanik, pas Turqisë, që ndjek praktikat më të mira ndërkombëtare.

Moduli “Arkivat on-line” u prezantua sot gjatë një aktiviteti të zhvilluar me studiues e studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, ku përshëndetën Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, znj. Senida Mesi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Ardit Bido, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi dhe ishin të pranishëm dhjetra profesorë e të ftuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido, prezantoi modulin duke bërë edhe blerjen e parë on-line të kopjeve të dokumenteve. “Ky është një prej kulmimeve të strategjisë së digjitalizimit që kemi dy vjet për të cilin po punojmë. Fakti që module të ngjashme kanë vetëm vendet më të zhvilluara botërore dhe asnjë nga vendet e rajonit, na vendos në pararojë në Ballkan për të shërbyer sa më shpejt dhe sa më mirë studiuesit shqiptarë dhe të huaj, duke i dhënë hov zhvillimit të kërkimit shkencor në vend”, tha z. Bido.

Zëvendëskryeministrja znj. Senida Mesi theksoi se shërbimi më i shpejtë i çdo qytetari është një prioritet i qeverisë shqiptare. “Ky aplikacion mundëson që në çdo kohë të mund t’i shërbehen studiuesit, pavarësisht nëse zyrat shtetërore janë të hapura a të mbyllura”, theksoi ajo. “Ne garantojmë mbështetje të plotë për iniciativa të tilla novatore që, në fakt, vijnë në përputhje edhe me prioritetet e qeverisë shqiptare për digjitalizimin dhe inovacionin. Njëkohësisht, nxisim bashkëpunimin me politikëbërjen me qëllimin që t’iu përgjigjemi nevojave të tregut dhe të qytetarëve.”

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr Sabri Laçi, falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe vlerësoi bashkëpunimin e rëndësishëm mes dy institucioneve, duke evidentuar hapjen e Masterit Profesional në Arkivistikë këto 10 vitet e fundit, ku mbas diplomimit janë angazhuar të gjithë të diplomuarit në zyra të ndryshme të Arkivave të vendit.

Gjithashtu Drejtoresha e Inovacionit të Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Romina Kostani, tha se kjo risi kaq e rëndësishme e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave që sjell blerjen e dokumenteve on-line është po aq e rëndësishme edhe për ne si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.”

Çelet ekspozita Butrinti dhe Ksamili sipas dokumenteve dhe fotografive të Arkivit Qendror Shtetëror

By | Uncategorized

Në datë 25 gusht 2018 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës çelën në qytetin e Sarandës ekspozitën “Nga qyteti helenistiko-romak në vendbanimin socialist, Butrinti dhe Ksamili sipas dokumenteve dhe fotografive të Arkivit Qendror Shtetëror .

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave dr.Ardit Bido, dy nënkryetarët e Bashkisë Sarandë z.Jorgo Mitro dhe z.Robert Piro si dhe kuratorët e kësaj ekspozite Sokol Cunga dhe Elsa Saka specialistë të Promovimit dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Ekspozita u prezantua nga vetë Drejtori i Përgjithshëm, z. Ardit Bido, i cili para mediave dhe të ftuarve, ritheksoi dhe një herë rëndësinë që kanë ngjarje të tilla për qytete si Saranda gjatë sezonit turistik.

Ekspozita u vendos në sheshin Limani në Sarandë. U çel në orën 19:00 dhe tërhoqi shumë qytetarë dhe turistë.