All Posts By

admin

Çelet ekspozita Butrinti dhe Ksamili sipas dokumenteve dhe fotografive të Arkivit Qendror Shtetëror

By | Uncategorized

Në datë 25 gusht 2018 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Sarandës çelën në qytetin e Sarandës ekspozitën “Nga qyteti helenistiko-romak në vendbanimin socialist, Butrinti dhe Ksamili sipas dokumenteve dhe fotografive të Arkivit Qendror Shtetëror .

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave dr.Ardit Bido, dy nënkryetarët e Bashkisë Sarandë z.Jorgo Mitro dhe z.Robert Piro si dhe kuratorët e kësaj ekspozite Sokol Cunga dhe Elsa Saka specialistë të Promovimit dhe Komunikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Ekspozita u prezantua nga vetë Drejtori i Përgjithshëm, z. Ardit Bido, i cili para mediave dhe të ftuarve, ritheksoi dhe një herë rëndësinë që kanë ngjarje të tilla për qytete si Saranda gjatë sezonit turistik.

Ekspozita u vendos në sheshin Limani në Sarandë. U çel në orën 19:00 dhe tërhoqi shumë qytetarë dhe turistë.

Çelet ekspozita “Vlora në dokumenet e AQSh”

By | Uncategorized

Në datë 10 gusht 2018 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Bashkia e Vlorës çelën në qytetin e Vlorës ekspozitën “Vlora në dokumentet e AQSH, ekspozitë dokumentare dhe fotografike”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin punonjës të pushtetit vendor si bashkëorganizatorë me DPA

Ekspozita u prezantua nga vetë Drejtori i Përgjithshëm, z. Ardit Bido, i cili para mediave dhe të ftuarve, ritheksoi dhe një herë rëndësinë që kanë ngjarje të tilla për qytete si Vlora gjatë sezonit turistik

Ekspozita u vendos në kinemanë verore pranë Lungomares. U çel në orën 19:00 dhe që ditën e parë, vizitueshmëria ishte e lartë. Pas interesit të shumtë që u shfaq, u vendos që ekspozita të qëndronte e çelur dhe të nesërmen.

Çelet Ekspozita për 140 Vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.

By | Uncategorized

Në datë 10.06.2018 në qytetin e Prizrenit u çel ekspozita në kujtim të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit me dokumenta nga Arkivi Qendror Shtetëror dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. Të ftuar në këtë ngjarje ishin Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, Kryeministri i Repubikës së Kosovës z. Ramush Hajradinaj dhe shumë miq, familjarë dhe dashamirës.

Të ftuarit u shoqëruan nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë z. Ardit Bido i cili bëri një prezantim të dokumentave që u paraqitën.

Ekspozita qëndroi hapur deri në orët e mbasdites duke tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve nga Prizreni.

Mbahet Konferenca e II-të Mbarëkombëtare e Arkivave

By | Uncategorized

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia e Arkivave të Kosovës organizuan sot në Prishtinë Konferencën e Dytë Mbarëkombëtare të Arkivistikës, në tentativën për të unifikuar praktikat arkivore në trojet shqiptare, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Gjatë konferencës u prezantuan më shumë se 20 kumtesa nga arkivistë të njohur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, mbi problematikat dhe zgjidhjet e tyre dhe mbi arkivistikën në trojet shqiptare, si profesioni që ruan dhe administron memorien kolektive kombëtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave,dr. Ardit Bido theksoi se është e domosdoshme që të bashkojmë praktikat dhe legjislacionin arkivor për të funksionuar në unitet, duke I përngjarë modeleve më të mira ndërkombëtare. Kjo do të mundësonte si bashkimin shpirtëror të shqiptarëve, ashtu edhe uljen e kostova dhe rritjen e cilësisë së arkivave në shtetet tona.

“Është e një rëndësie të posaçme që të vazhdojmë një traditë të konferencës, të ndajmë përvojat dhe te bashkëpunojmë. Duke propozuar zgjidhje drejt së mirës mund të arrijmë dy dobi, t’i çojmë përpara arkivat dhe të mundet që të realizojmë një ideal që këtë vit sidomos është më aktual se kurrë, atë të bashkimit shpirtëror të shqiptarëve. Të gjithë na përkrahim të integrohemi për tu bashkuar me të tjerët pa u bashkuar me vetveten është e pamundur. Të unifikojmë modelin dhe legjislacionin arkivor në vendet tona, duke marrë përvojat më të mira ndërkombëtare, çka do të na bashkojë dhe të na ulë kostot.” – tha z. Bido

Kryeshefi I Agjencisë së Arkivave të Kosovës, z. Ramë Manaj ka kërkuar që roli kyç kombëtar i arkivave të mos dëmtohet nga mungesa e kapacitete njerëzore dhe problemeve tjera.

“Arkivat kanë pasur dhe kanë rol të rëndësishëm për shoqërinë, shtetin. Mbesin tempull i trashëgimisë kulturore shqiptare. Arkivat kanë nevojë të kultivojnë bashkëpunimin e vazhdueshëm, është shume e nevojshme. Duhet të ketë këmbim reciprok të fondeve, përvojave të metodologjisë. Bashkëpunimi vazhdon ne rajon Evropë e rajon. Kjo veprimtari veçmas në Kosovë ka mbetur larg përkrahjes së nevojshme dhe të merituar. Në mënyrë që arkivistë të thithin sa më pak pluhurin e mbledhur të lëndës arkivore, të mos dëmtohet si mungesë e kapacitete njerëzore, shpresoj të jetë koha e fundit që kjo gjendje të përmirësohet. Falënderoj MKRS për mbështetje”. – tha Ramë Manaj.

Muzafer Bislimi, zv.drejtor i arkivit të Maqedonisë, u ankua se punojnë në kushte jo të mira sepse nuk kanë mbështetjen e nevojshme nga politika.

Ai tha se bashkëpunimi me arkivin e Kosovës dhe Shqipërisë është i mirëseardhur sepse në Maqedoni ka shumë dokumente që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Për fat të keq edhe arkivi i Maqedonisë është në situate të njëjte për shkak se politika intersohe veç kur kemi probleme. Në ndërtesën e re ne kemi shumë probleme. Bashkëpunimi me arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë është i mirëseardhur, sepse në Maqedoni ka shumë dokumente që kanë të bëjnë me shqiptarët. Besoj se kjo konferencë që shpresoj në te ardhmen të mbahet në Shkup, por s’besoj që me emrin mbarëkombëtar mund ta realizojmë, por do ta realizojmë në forma tjera”.

Konferenca e Dytë Mbarëkombëtare e Arkivistikës u mbajt më 9 qershor që është edhe Dita Ndërkombëtare e Arkivistikës. Ajo është konferenca e dytë e kësaj natyre, pas të parës që u mbajt një vit më parë në Tiranë. Organizatorët u shprehën të bindur se konferenca e radhës do të mbahet në Shkup, për të vijuar në traditë në çdo trevë shqiptare.

Firmoset Marrëveshja me Univerisitetin jo publik “Marin Barleti”

By | Uncategorized

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin jo publik “Marin Barleti”. Kjo marrëveshje do të përfshijë digjitalizimin e inventarëve të Arkivit Qendror Shtetëror në kuadër të praktikave mësimore të studentëve. Bashkëpunimi do të shtrihet në botime dhe mbajtjen e konferencave shkencore. Të pranishëm në këtë marrëveshje ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido dhe Rektori i Universitetit Marlin Barleti z.Marenglen Spiro.

Z.Bido e vlerësoi bashkëpunimin dhe u bëri thirrje të gjitha instiucioneve të Arsimit të Lartë qoftë Privatë apo Shtetërorë për bashkëpunime të tjera të cilat kanë një produkt konkret. “Arkivi Shtetit prej vitit të kaluar ka kaluar në fazën e digjitalizimit në nivele të ngjashme me Arkivat e Europës. Ne prej shtatorit bëjmë dhe ndryshimin më të madh me disa aplikacione të reja dhe do të arrihet ajo që nga njëra anë të garantohet aksesi sa më i lirë dhe në të njëjtën kohë të garantohet siguria, serioziteti i këtij institucioni që procesi të bëhet ashtu si duhet, dhe nëpërmjet këtij aplikacioni studiuesi qoftë nga shpia qoftë në Arkiv do të paracaktojnë vizitën në sallën e studimit që është aktualisht, por do të pasurohet duke pajisur studiuesit me një kartë elektronike me kodin e tyre personal”-tha z. Bido.

“Falenderojmë Arkivin e Shtetit për këtë bahkëpunim sepse Arkivi Shtetit është një institucion qendror shumë i rëndësishëm me një pasuri mjaft të vlefshme për formimin universitar mbi kërkimin shkencor. Ky bashkëpunim do të jetë me shumë interes për studentët gjatë përgatitjes së tyre si specialist në shumë fusha”tha z.Spiro

Ekspozita Përmes një Urtësie të pashuar. Duke kremtuar Europën në Shqipëri: “Rrallësi dhe Larmi”

By | Uncategorized

Gjatë periudhës së Mesjetës pellgu i Mesdheut përbën një njësi kulturore më vete, pavarësisht përplasjeve ushtarake dhe politike mes Bizantit dhe Perëndimit latin, apo këtyre dy poleve me Lindjen e Mesme dhe arabët. Këto përplasje nuk mbyllën udhën e shkëmbimeve tregtare dhe kulturore, duke sjellë qarkullimin e kapitaleve dhe të kulturës. Në kontekstin kulturor dhe gjeografik viset e ilirëve – arbërve – shqiptarëve kanë qenë ngahera të qarkuar dhe përshkuar nga kulturat e kohës, vetë banorët ishin bartës, kultivues dhe transmetues të tyre. Kësisoj, kultura bizantine, latino-perëndimore, arabe, osmane dhe, më pas, Rilindja Europiane, janë pjesë të pandashme nga kultura e shqiptarëve të sotshëm, secila me masën e vet të ndryshme. Gjurmët e mbetura pas, deri në ditët tona, e vërtetojnë këtë. Fondet e Arkivit Qendror Shtetëror ruajnë një pjesë të kësaj trashëgimie të shumëçmuar librore, të dorëshkruar dhe të shtypshkruar, duke u kthyer në një pikëtakim faktik të veprimtarisë kulturore të njerëzimit. Koleksionet e dorëshkrimeve dhe librave të AQSh nga njëra anë dëshmojnë trashëgiminë e librit si objekt dhe tekstit si koncept hyjnor, juridik, letrar dhe filozofik, kurse nga ana tjetër pasqyrojnë pasurinë dhe larushinë më të veçantë të krijimtarisë artistike njerëzore.
Në ekspozitën:
Përmes një Urtësie të pashuar.
Duke kremtuar Europën në Shqipëri: “Rrallësi dhe Larmi”, sjellim dorëshkrime dhe shtypshkrime nga fonde të ndryshme të Arkivit Qendror Shtetëror, të cilat datojnë nga shek. VI (pas Krishtit) deri në shek. XIX. Librat që paraqiten janë shkruar në persisht, greqisht, latinisht, shqip, arabisht, osmanisht, janë shkruar me dorë apo shtypur në shtypshkronjë. Tematika e teksteve dominohet nga Shkrimet e Shenjta dhe teologjia, pasi dhe pjesa më e madhe e
librave që ka mbërritur ditët tona vjen nga altaret, tryezat apo raftet e tempujve ku adhurohej Zoti (kishave, xhamive, tyrbeve) apo nga bibliotekat e institucioneve fetare. Ndonëse më pak në numër, nuk mbeten pa u përfaqësuar në këtë ekspozitë dhe tekste që përmbajnë letërsi, jurisprudencë, filozofi, gjuhësi, fizikë, astronomi.
Kjo larushi kulturash, gjuhësh dhe tematikash është mëse e zakontë për Shqipërinë ballkanike. Në kohëra trazirash kjo larushi është përdorur për të përçarë njerëzit dhe vendet. Sot, në kontekstin europian, kjo pasuri është argumenti se shqiptarët janë pjesë integrale e Europës. Bibliotekat modeste të Shqipërisë së qëmotshme, apo Arkivi Qendror Shtetëror sot, natyrshëm kanë trashëguar pasuri të tillë, duke mbartur amalgamën e kulturës Perëndimore përpara se në Perëndim të përcaktohej koncepti “perëndim”.
Librat e dorëshkruar dhe të shtypshkruar që paraqesim në këtë ekspozitë nuk mbulojnë të gjitha tematikat apo periudhat historike të Mesjetës dhe Rilindjes dhe nuk kërkojnë të shprehin analogjinë e ndikimeve kulturore tek shqiptarët. Janë elementët e mbetur të një mozaiku të gjerë kulturor, nga i cili shohim fragmente të kohërave dhe vendeve të ndryshme, të mjaftueshme për t’i shfaqur publikut madhështinë e së shkuarës.

Hapur 04.05.-20.05.2018

Çdo ditë, ora: 10.00-22.00

Rr. Ibrahim Rrugova ish-Vila 31,

Projekt për Digjitalizimin e Fototekës së DPA-së

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” nënshkruan sot një Memorandum Bashkëpunimi për digjitalizimin e plotë të fototekës dhe për projekte të përbashkëta në organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve si: asistencë profesionale në arkivim, katalogim, digjitalizim, ekspozita, muze etj në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Të pranishëm ishin Dr. Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave dhe z. Lucjan Bedeni, Drejtor i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” .

“Kemi kënaqësinë sot që do të shkruajmë një marëveshje bashkë me fototekën Marubi për një pasuri të fshehur të Arkivit Qendror Shtetëror . Fototeka e Drejtorisë së Përgjithsme të Arkivave ka rreth 70.000 fotografi që nuk kanë qënë të sistemuara të gjitha dhe që nuk janë aq lehtësisht të aksesueshme siç është dokumnetacioni. Nëpërmjet kësaj marëveshjeje do të realizojmë që brenda, këtij viti të sistemojmë të plotë gjithë fototekën e DPA-së, të skanohen dhe të hidhen online për tu aksesuar lehtë nga publiku sepse janë fotografi që kanë nje rendësi të madhe historike,” – tha z.Bido

Z.Bido falenderoi Drejtorin e Fotografisë “Marubi” Z. Luçjan Bedeni i cili na u gjend në krah menjëherë sapo iu kërkua.

Bedeni shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin për këtë bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për digjitalizimin e koleksioneve të fototekës . “Është një moment i rëndësishëm për trashëgiminë në tërësi për të gjitha ato dokumente të fotografëve që shumë shpejt do të dalin në dritë,”- tha ai.