Monthly Archives

Maj 2019

“Java e Arkivave të Hapura” në kuadër të 70 vjetorit të themelimit të Arkivit të Shtetit

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave organizon nga data 3 Qershor deri më 7 Qershor 2019, Javën e Arkivave të Hapura” në kuadër të 70 vjetorit të themelimit të Arkivit të Shtetit.

Gjatë këtyre ditëve, vizitorët do të mund të shohin proceset e punës që kryhen në Arkivin Qendror Shtetëror, nga sektori i vendruajtjes, përpunimit, mikrofilmimi, digjitalizimi dhe restaurimi i dokumenteve arkivore. Po ashtu do të mund të shohin nga afër Kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikët e Beratit, që përbëjnë trashëgiminë më të vyer tonë Kulturore Kombëtare dhe që është shfaqur rrallë herë në publik.

Gjithashtu Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i bën thirrje të gjitha shkollave dhe universiteteve të kontaktojnë paraprakisht për vizita  gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të krijohen të gjitha mundësitë dhe hapësirat të njohjes nga afër me këto procese, vecanërisht për të rinjtë.

Risi për ata që duan të studiojnë më gjatë në DPA

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot një risi në lidhje me shfrytëzimin e sallës së studimit. Për këdo që orarin e sallës së studimit e ka pasur pengesë, tashmë nuk do ta ketë më. Duke filluar nga data 15 qershor 2019 salla e studimit do të funksionojë edhe pasditeve, deri në orën 19:00 dhe gjithashtu do të qëndroj e hapur edhe ditën e shtunë.

Kjo është një risi që u vjen të gjithë studiuesve dhe të gjithë të interesuarve që duan të shfrytëzojnë ambientet e sallës së studimit. Këtë njoftim e bëri të ditur në prani të studiuesve Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido ku shprehu se “ashtu si dhe në arkivat më të mëdha perëndimore, është një ndihmë që iu vjen studiuesve të cilët tashmë nuk kanë nevojë që të marrin leje nga puna e tyre, në mënyrë që të vijnë në arkiv, po kanë mundësi që të programojnë kohën, të vijnë atëherë kur ata kanë mundësinë dhe të mundet të nxisim në këtë formë studimet, sidomos në fushën albanologjike, ku Arkivi Qendor Shtetëror është burimi më i madh”.

“Pas dy viteve që ne kemi punuar për këtë risi, tashmë janë pjekur kushtet dhe kemi mundësuar nëpërmjet sistemeve elektronike që të ndahet puna e vendruajtes dhe e sallës përmes procedurës dhe jo përmes pranisë fizike të individëve, sikurse kemi dhe bazën ligjore që na i mundëson këtë gjë”, tha z.Bido.

Gjithashtu studiuesja znj.Ana Lalaj tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm sidomos për studiuesit e rinj ata të cilët aspirojnë për të mbrojtur masterin apo doktoraturën, të cilët janë në marrëdhënie pune. Duke ardhur pasditeve, duke ardhur edhe të shtunave, kjo i vjen në ndihmë edhe personave që vijnë nga rrethet, jo vetëm studiuesve nga Tirana.

Të pranishëm ishin edhe Drejtori i Arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes z.Teki Kurti, Drejtori i Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë z.Xhavit Shala, Pedagogu i Fakultetit Histori-Filologji z.Artan Puto dhe studiues të tjerë të cilët mbështetën këtë nismë që ndihmon dhe lehtëson punën studimore.

Arkivat në Tepelenë në “Javën e Ali Pashës, Edicioni i II”

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mori pjesë në çeljen e sezonit turistik “Java e Ali Pashë Tepelenës” më 23 dhe 24 maj.. DPA kontribuoi modesisht me ekspozitën kushtuar kësaj figure madhore të pararilindjes kombëtare, në aktivitetet e organizuara.

Ky aktivitet vjen si risi tashmë për herë të dytë në qytetin e Pashait, me mbështetjen e Bashkisë Tepelenë, Ministrisë së Kulturës, si një investim dhe mbrojtje e vlerave kulturore, trashëgimisë dhe turizmit.

Organizatorët besojnë se kjo është një mundësi e mirë për nxitjen e zhvillimit të turizmit dhe për të promovuar të gjitha vlerat potenciale që kjo zonë ka mundur t’i ruaj apo krijojë nëpërmjet aseteve dhe natyrës së mrekullueshme si pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor kombëtar.

Shqiptarët e Rumanisë përmes fotografive dhe materialeve arkivore

By | Uncategorized | No Comments

“Atdheu në numrin shumës. Shqiptarët e Rumanisë, emigrantë, jo të huaj” është ekspozita e rradhës që u shpalos nga  Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Ajo vjen në kuadër të konferencës Shkencore “Tiranë – Bukuresht: Historia e zhvillimit social e kulturor e dy kryeqyteteve”. Me po të njejtin titull Muzeu Historik Kombëtar prezantoi ekspozitën me libra, gazeta dhe objekte, mes të cilave edhe Kallamarin e përdorur nga Asdreni dhe Flamurin e Kolonisë Shqiptare në Rumani, përdorur gjatë viteve 1938-1953.

Konferenca është e organizuar nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Rumanisë në Shqipëri, Muzeun Historik Kombëtar, Bibliotekën Kombëtare dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Në këtë event ishin të pranishëm, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës z.Andi Seferi, Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, SH.T.Z Mircea Perpelea, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koçi, Prof. Dr. Mimoza Karagjozi-Kore, Prof. Asoc. Dr. Eva Hyska, Prof. Dr. Paskal Milo, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido, studiues, etj.

Ekspozita e kuruar nga specialistë të Promovimit dhe Komunikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, përmban fotografi dhe dokumente, ku paraqitet veprimtaria kulturore dhe politike e shqiptarëve të vendosur në Rumani që prej vitit 1602.

Në njërën stendë paraqitet vendimi i bojarit Simion Mohila, Princ i Vllahisë, përmes të cilit lejohen shqiptarët e emigruar nga fshati Cërvena Vodë në Turqi të vendosen në fshatin Palinesht të Prahovës, duke u përjashtuar nga taksat për 10 vjet. Përmes këtij vendimi lejohej që komuniteti shqiptar të krijonte organizmat e vet administrativë, ku ishte i lirë të vendoste për çështjet e brendshme të komunitetit, dhe ndaj sundimtarit të vendit kishte detyrim t’i paguante taksat (pas 10 vitesh) dhe t’i përgjigjej për krime penale. (1 maj 1602)

Në stenda të tjera gjendet procesverbali i mbledhjes së parë dhe Statuti i Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Drita” në Bukuresht, 27 dhjetor 1884, memorandum i Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Drita” në Bukuresht drejtuar kryetarëve të Fuqive të Mëdha, ku kundërshtojnë projektet e sllavëve për pushtimin e Ballkanit dhe mbështetin formimin e një shteti shqiptaro-maqedon, për të siguruar paqen në Ballkan. Gjenden fotografi të anëtarëve të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, si Dhimitër Berati,  Rafaelo Anastasiu, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Luigj Gurakuqi, Filip Gjeka, Pandeli Evangjeli, Dervish Biçaku, Kristo Meksi, Andon Eftimin e Sotir Peci.

Ekspozita përmban dhe mjaft materiale të tjera të parqitura në 15 stenda të cilat ngjallën interes dhe kurreshtje të madhe tek të pranishmit.

“Besime të ndryshme, një komb i vetëm” në Muzeun Historik Kombëtar

By | Uncategorized | No Comments

Instituti i Bashkëpunimit për Integrimin dhe Zhvillimin, Muzeu Historik Kombëtar, Komunitetet fetare të Shqipërisë, Institucionet Ndërkombëtare dhe Shqiptare të Arsimit të Lartë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave organizuan sot eventin me ekspozitë dhe konferencë me titull: “Feja në shoqëri – modeli shqiptar” në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Në këtë event Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përgatiti me shumë kujdes ekspozitën “Besime të ndryshme, një komb i vetëm” dedikuar besimit fetar në Shqipëri.

Kjo ekspozitë e përgatitur me shumë kujdes nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.
përbëhet nga 11 stenda me fotografi dhe dokumente të Arkivit Qendror Shtetëror ku pasqyrohet bashkëjetesa fetare në Shqipëri.

Ky event synon të promovojë dhe kultivojë një vlerë të shquar dhe të dallueshme të shoqërisë shqiptare, bashkëjetesën në diversitetin e bashkësive fetare shqiptare në harmoni, paqe dhe integritet.

Të pranishëm në këtë event të ideuar nga drejtori ekzekutiv i ICID Albania, Prof. Dr. Reis Mulita, ishin përfaqësues nga të gjitha komunitet fetare në Shqipëri, ambasador, drejtues institucionesh si Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Dorian Koci, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës z.Andi Seferi, studiues, etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në mjediset e Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë deri më 08.05.2019