Monthly Archives

Mars 2019

Faza e dytë e bashkëpunimit për digjitalizimin e Arkivit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Albania University

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave organizoni sot ceremoninë e hapjes së fazës së dytë të bashkëpunimit me Albania University mbi zbatimin e projektin për digjitalizimin e inventarëve të fondeve të arkivave vendore të viteve 1945  – 2008 të ish – komiteteve ekzekutive.

Prezantimi u bë në mjediset e Albania University ku dhe do të vazhdojë të kryhet ky poces. Të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido, rektorja e këtij Universiteti Prof. Dr. Vera Ostreni (Halili) dhe dekania e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Prof. Dr. Kaliopi Naska.

Në fjalën e saj Prof. Dr. Kaliopi Naska tha se ky projekt është mjaft i rëndësishëm si për Universitetin ashtu dhe për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. “Është një nga projektet më të rëndësishme që ka bërë besoj Arkivi i Shtetit në këto vitet e fundit, sepse është digjitalizimi  i gjithë dokumentacionit, sipas ndarjes dhe klasifikimit përkatës ndër vite. Ajo që më bën mua krenare është që në këtë punë kaq të rëndësishme të këtij institucioni që është i vetmi në vend, jemi dhe ne pjesëmarrës dhe kontribues” tha Kaliopi.

Drejtori i Përgjithshëm Ardit Bido, në fjalën e tij tha se këto dy vite po tentohet dhe po punohet që Arkivi të kthehet në një institucion bashkëkohorë. “Albania University është partner strategjik i Arkivit, sepse për të dytin vit rradhazi, atë që ne nuk kemi mundësi ta bëjmë për shkak të mungesës së stafit të mjaftueshëm po e kryen Albania University. Vjet ne kemi hedhur bashkërisht të gjithë titujt e dosjeve të Arkivit Qendror të Partise së Punës, sivjet do të nisim me Arkivin Qendror të Tiranës, për ta digjitalizuar”tha Bido.

Në këtë ceremoni u bë dhe demostrimi i hedhjes digjitale të inventarëve të fondeve të arkivave vendor nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Faza e dytë e këtij bashkëpunimi vjen pas përfundimit më sukses të fazës së parë të këtij bashkëpunimi që është bërë mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Albania University, mbi projektin për digjitalizimin e katalogëve të Arkivit Qendror Shtetëror.

Çelet në Kalanë e Tiranës ekspozita “Një Komb, një Abc”

By | Uncategorized | No Comments

“Një Komb, një Abc” titullohet ekspozita që u çel për publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës, me rastin e 7 marsit, e cila organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin: Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido, Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizimit në Bashkinë e Tiranës znj. Mirela Koçollari, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe mësues dhe nxënës të shkollave të kryeqytetit.

Ekspozita përmban foto dhe dokumenta të rralla të Kongresit të Manastirit, i cili u zhvillua në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë ishin Luigj Gurakuqi, Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës, Taqi Buda, Gjergj Zavalani. Në këtë ekspozitë mund të shihni dhe mjaft fotografi dhe dokumente të tjera.

Kjo ekspozitë është paraqitur përpara publikut në Festimet Qendrore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të zhvilluara në Shkup. Ekspozita vjen në Tiranë për herë të parë në ambientet e Kalasë së Tiranës, ku do të mirëpresi deri më datë 14 të gjithë vizitorët.

“Magjia e Gramafonit” në Kalanë e Tiranës

By | Uncategorized | No Comments

Nën tingujt e këngëve të vjetra shqiptare, si ato të Fitnete Rexhës të regjistruara në pllakë gramafoni, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës çelën sot ekspozitën “Magjia e Gramafonit”, e që organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave z.Ardit Bido, Ministria e Kulturës znj.Elva Margariti dhe zv/kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Andi Seferi.

Drejtori i Përgjithshëm Ardit Bido, në fjalën e tij tha se kjo është pasuri që na e kanë lënë të tjerët e që ne do t’ua lëmë pasardhësve. “Ne duam që çdo pasuri arkivore që e kemi, përfshirë edhe këto objekte muzeale që ndodhen në arkiv, të jenë të aksesueshme për publikun. Jo thjesht në kuptimin e konceptit të arkivave të hapura që kush të dojë të vijë, por të shkojmë ne te njerëzit, të shkojmë dhe të nxisim kureshtjen” tha Bido.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se është e bindur që aktivitete të tilla do të vazhdojnë edhe më tej, e që do ta shndërronin Kalanë në mjedis që dhuron momente relaksuese nga rutina e përditshme.

“Simboli i Kalasë që dikur ka qenë i mbyllur, me mure të rrethuara, tashmë e gjitha është e hapur për publikun dhe gjithçka kthehet në vend të kujtesës, vend ku mund të takohemi dhe tregojmë për të shkuarën, dhe ku ka më bukur se sa muzika, gramafoni. Aktivitete të tilla unë besoj dhe jam e bindur se do te jenë të shumta” tha Ministja Margariti.

Më 1986 koleksionisti britanik Martin Moir i dhuroi AQSh-së mbi 18,000 pllaka gramofoni, 20 gramofonë mekanikë dhe elektrikë mjaft karakteristikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka (gramafoni apo vinyl).

Kjo çoi në krijimin e Fonotekës së AQSh si sektor i zgjeruar. Në këtë ekspozitë paraqitet në origjinal koleksioni i fonografëve dhe gramofonëve, si dhe disa disqe gramofoni LP dhe vinyl-e. Përmes kësaj ekspozite AQSh shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve.

Në këtë fond gjenden të gjitha llojet e gjinive muzikore si muzika vokale, duke filluar nga kënga e thjeshtë dhe deri tek albumet operistike, muzikë instrumentale, simfonike, muzikë dhome, muzikë baletesh, filmash artistikë dhe të filmave për fëmijë.

Pjesë e dhuratës së vitit 1986 ishin edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramofonit dhe muzikës, disa prej të cilave u ekspozuan pranë koleksionit të gramofonëve.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 9 mars.