Monthly Archives

Shkurt 2019

Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ndaj shpifjes në lajmin e gazetës “Telegraf“

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dëshiron të sqarojë opinionin publik, se çdo dokument i dhuruar në AQSH, me përmbajtje të dhënash pronësore, prej vitit 2017 duhet të kalojë më përpara për verifikim nga Instituti i Policisë Shkencore. Kjo procedurë e re vjen për të garantuar që çdo dokument pronësor që dhurohet në arkiv të jetë i provuar mbi origjinalitetin e tij. Deri në vitin 2017, këto dokumente pranoheshin pa asnjë verifikim të mëtejshëm, pasi ky nuk është detyrim ligjor, por një masë e marrë me vendim të DPA-së, për të krijuar garancinë e procesit. Ne jemi të bindur se ky vendim ka lënë shumë të pakënaqur, që e shihnin rrugën e mëparshme si rrugën e shpejtë të falsifikimit të pronave. Për këtë, ne nuk presim asnjë lëvdatë, e njëherazi kemi marrë parasysh që mund të ketë sulme, sipas parimit “hajduti bërtet: kapni hajdutin“! Mirëpo, për aq kohë sa u shërbejmë qytetarëve me përkushtim e paanësi, këto sulme nuk mund të na ndalojnë!

Për sa më sipër, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndihet e detyruar të denoncojë publikisht shpifjen në numrin e sotshëm të gazetës “Telegraf“, për disa arsye:

1. Komisioni i Përhershëm i Ekspertëve pranë DPA-së shqyrton vetëm vlerën historike të dokumentit dhe për dokumentet përpara vitit 1944, sipas ligjit, të gjitha konsiderohen dokumente me Rëndësi Historike Kombëtare.
2. DPA nuk ka pranuar në asnjë rast fotokopje, por vetëm dokumente origjinale në arkiv.
3. Komisioni i Ekspertizës merr për bazë ekspertizën e institucionit të vetëm shtetëror për verifikimin e origjinalitetit të dokumentit që është Instituti i Policisë Shkencore, prej vitit 2017.
4. Publikimi i një hetimi, për të cilin DPA nuk ishte në dijeni, përbën një tendencë për prishjen e imazhit të institucionit dhe jo për gjetjen e së vërtetës.
5. Tituj abuziv si “arkiva në shërbim të mafies“, përbëjnë tendencën për të prishur imazhin e një institucioni të besueshëm në sytë e qytetarëve shqiptarë të cilët marrin shërbim të shpejtë e korrekt nga ky institucion.

Jemi të keqardhur që kujdesi ynë për rritjen e kontrollit mbi dokumentet e pranuara në arkiv, në vend të vlerësohej, po goditet në emër të qëllimeve për të abuzuar, qëllime të cilat DPA i ka penguar dhe do t’i pengojë me aq sa ka tagër ligjor.

Ftojmë, çdo individ dhe media, që dëshiron të ushtrojë presion ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për qëllime joligjore, të vijojë pa asnjë pengesë këtë “mision“. Njëherazi, i garantojmë që nuk do të kenë sukses në këtë „mision“. Ne presim me kënaqësi dhe zell të përballemi në gjykatë dhe në çdo institucion ligjor.

Çelet ekspozita “Tirana 99 vjet kryeqytet”

By | Uncategorized | No Comments

Ekspozita “Tirana 99 vjet kryeqytet” është frymëzimi i rradhës që sjell Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Kalanë e Tiranës dhe në kujdesin e Bashkisë së Tiranës. Ekspozita zhvillohet në kuadër të  99 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, ajo është konceptuar me një ndërthurje të fotograrive të vjetra të Tiranës dhe me dokumente historike, ku në total janë krijuar 22 stenda.

Ky bashkëpunim vjen si një risi në këtë ambient , hapjen e kësaj ekspozite e bëri administratorja e Kalasë së Tiranës Klodiana Toptani e cila falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për këtë bashkëpunim të cilin e cilësoi si gjigand dhe me tepër vlera.

“Kjo ekspozitë është një vazhdim i një sërë aktivitetesh dhe ekspozitash që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës kanë ndërmarr gjatë vitit 2018 dhe do të jenë të shumta dhe në vitin 2019”,- tha Drejtori i Inspektimeve dhe Trajnimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave z. Endrit Musaj.

Në hapjen e ekspozitës ishin të pranishëm Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës z. Aldrin Dalipi, Deputetja e Partisë Socialiste znj.Blerina Gjylameti dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Veliaj i cili në fjalën e tij falenderoi kolegët e Arkivit. “Ndoshta është një punë me heronj të heshtur dhe që ne nuk i këndojmë shumë lavde, por unë e di se sa punë e vështirë është sidomos në një vend që e ka trajtuar historinë pa respekt”,- tha Veliaj.

Që në orët e para të hapjes ekspozita pati shumë vizitorë. Ajo do të qëndrojë e hapur për dy javë.

Arkivat nxisin studimet albanologjike

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Instituti i Historisë nënshkruan sot marrëveshjen, që mundëson nxitjen e studimeve në fushën e albanologjisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave merr përsipër të furnizojë me kopje dokumentash falas Institutin e Historisë, ndërsa Instituti do të mundësojë hartimin dhe botimin e përmbledhjeve të dokumentave arkivore.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido theksoi se ky bashkëpunim është një përfitim institucional, duke plotësuar njëri – tjetrin në burime njerëzore dhe në burime arkivore.
“Kjo marrëveshje realizon një interes kombëtar për sa i përket studimeve albanologjike dhe studimeve në fushën e përmbledhjeve të dokumentave, duke nxitur më tej studimin e historisë sonë kombëtare” – tha z.Bido.

Akademiku Beqir Meta u shpreh i kënaqur nga ky bashkëpunim, duke falenderuar Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. “Ky bashkëpunim do të shërbejë për të inkurajuar dhe për të zhvilluar kërkimin shkencor të historisë sonë kombëtare.” – tha ai.
Kjo është marrëveshja e parë e bashkëpunimit mes dy institucioneve.