Monthly Archives

Nëntor 2018

Çelet ekspozita, “Një Komb, një ABC” në Shkup

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mori pjesë në Festimet Qendrore të 110-vjetorit të Kongresit të Mastirit, të zhvilluara në Shkup. Festimet e organizuara nga Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë përfshinin dhe prezantimin e një ekpozite të përgatitur nga DPA me dokumente dhe foto me momentet dhe personalitet që morën pjesë në Kongres. Ekspozita u prezantua në prani të presidentëve Meta dhe Thaçi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferri, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, si dhe përfaqësues të lartë të elitës politike e kulturore shqiptare në Maqedoni. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido theksoi se Kongresi i Manastirit është një ngjarje kulmore e para pavarësisë, që pasqyrohet në ekspozitë përmes dokumentave dhe fotografive origjinale të ruajtura në AQSH. Espozita pati një interes të madh nga shqiptarët që banojnë në Shkup.

Botohet Revista e Dytë e Përbashkët Arkivore “Bashkimi i Praktikave Arkivore Shqipëri-Kosovë”

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës promovuan sot në Pallatin e Kongreseve Salla Ovale, Revistën Arkivore si botim i përbashkët i dy arkivave, pjesë e përpjekjes së unifikimit të punës arkivore në të gjitha Trevat Kombëtare. Ky Promovim Reviste u zhvillua edhe me rastin e Panairit të 21 të Librit ku Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave morri pjesë pas 6 vjetësh mungesë me botimet Arkivore ndër vite.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dy drejtorat e dy institucioneve kryesore Dr. Ardit Bido Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave Shqiptare, z. Ramë Manaj, Kryeshef i Arkivave të Kosovës, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri z.Sylë Ukshini dhe znj. Pranvera Dibra Drejtoreshë e Arkivit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, arkivistë dhe studiues të fushave të ndryshme.

“Kemi sot kënaqësinë të prezantojmë në numrin e dytë Revistën e Përbashkët Arkivore për të bashkuar energjitë tona që të kemi mundësi të lëmë të shkruar botime dhe studime që do të shërbejnë për të ardhmen. Kjo pjesë është një bashkëpunim i vyer dhe i rëndësishëm ndërmjet Arkivave Shqiptare dhe Arkivave të Kosovës,  një bashkëpunim që ka dekada që është aktiv por që ne jemi përpjekur që gjatë viteve të fundit ta konkretizojmë nëpërmjet bashkëpunimeve të cilat kanë pasur gjithmonë produkte,dhe sot bashkuam gjithë fuqitë tona në mënyrë që në këtë rrugë shkencore të shkëmbjemë informacione me njëri tjetrin për të pasur një të ardhme të të dyja arkivave në të gjitha hapësirat shqip folëse të përbashkëta. Kemi një trashëgimi të vyer nga Agjencia e Arkivave të Kosovës dhe po ashtu kemi produktin e përbashkët të arkivistëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë që e pasurojnë duke arritur në këtë produkt”- tha z. Bido duke i kaluar fjalën Kryeshefit të Arkivave të Kosovës z. Ramë Manaj.

“Me rastin e ditës së sotme, të Promovimit të Revistës së Përbashkët Arkivore, është një ditë e shënuar sidomos për arkivat e Kosovës që nesër do të jetë histori. Arkivat janë shkencë me të ardhme të ndritur, dhe bashkëpunimi me Arkivat e Shqipërisë ka plotësuar zhvillimet e arkivistikës. Nga viti që vjen diçka të ngjashme do ta bëjmë dhe në Prishtinë dhe bashkëpunimi nuk do të jetë vetëm në Shqipëri –Kosovë por dhe në treva të tjera Shqiptare” -tha z. Manaj duke falenderuar dhe një herë Drejtorinë e përgjithshme të Arkivave për këtë bashkëpunim të vyer.

Gjithashtu përshëndetën me fjalët e tyre znj. Pranvera Dibra, Drejtoresha e Arkivit të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri z.Sylë Ukshini, Dr. Endrit Musaj, Drejtor i Drejtorisë së Inspektim Trajnimit, Prof. Ilira Çaushi, Drejtorishë e Institutit të Studimeve Evropiane si dhe anëtare e KLA-së si dhe znj. Sonila Boçi, studiuese në Akademia e Studimeve Albanologjike.

Arkivi Shqiptar bëhet pjesë e Portalit të Arkivave Evropiane

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave prej pak ditësh ka plotësuar kriteret dhe është bërë pjesë e organizmit më vital të Bashkimit Evropian në fushën e arkivave,” Portalit të Arkivave Evropiane”.

Zhvillimet teknologjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave përveç rezultatit konkret ndaj studiuesve dhe rritjen e mundësive për shkëmbimin e materialit arkivor kanë sjellë edhe përafrimin e arkivave shqiptare me arkivat evropiane.

DPA është bërë pjesëtare me të drejta të plota e Fondacionit të Portalit të Arkivave Evropiane, një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian ku janë të përfshira të gjithë arkivat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe CEFTA-s.

Vendimi i marrë më 9 nëntor për pranimin e Shqipërisë me të drejta të plota, e bën arkivin shqiptar të parin vend të Ballkanit Perëndimor pjesë e Portalit të Arkivave Evropiane.

Ky pranim është për ne si shqiptarë një tregues i njohjes së përpjekjeve të vazhdueshme të viteve të fundit për modernizimin e arkivave dhe rritjen e përdorjes së teknologjisë si forma e së ardhmes në shërbimin arkivor. Po ashtu, përbën një mundësi të veçantë të shkëmbimit mbarë evropian të materialeve arkivore në shërbim të historisë kombëtare dhe historisë evropiane.

Shpërndahen certifikatat e pjesëmarrjes së studentëve të Albanian University

By | Uncategorized | No Comments

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përfundoi  në bashkëpunim me Albanian University projektin për digjitalizimin e katalogëve të Arkivit Qendror Shtetëror duke pajisur te gjithë studentët me çertifikatat përkatëse.

Ceremonia u bë në mjediset e Albanian University ku dhe u krye ky proces. Te pranishëm ishin Rektore e këtij Univeristiteti, Prof. Dr. Vera Ostreni (Halili) , Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido dhe Prof.Dr Kaliopi Naska, Dekane ee Fakultetit të Shkencave Shoqërore në këtë Universitet.Pas dhenies së certifikatave Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr.Ardit Bido prezantoi përpara studentëve aplikimin online për marrjen e dokumenteve, gjithashtu ftoi studentët të përfitojnë nga kjo risi dhe të frymëzohen për të zgjedhur temën e diplomimit.

Prezantohet “Arkivi on-line”, tashmë çdo dokument mund të merret nga shtëpia

By | Uncategorized

Prezantohet “Arkivi on-line”, tashmë çdo dokument mund të merret nga shtëpia.

Dokumentet arkivore tashmë mund të merren on-line, përmes aplikacionit novator të prezantuar sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, nën kujdesin e Zëvendëskryeministres së Republikës së Shqipërisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Përmes këtij aplikacioni, studiuesit mund të porosisin nga çdo vend i botës, në çdo orë të ditës dokumentet që iu duhen dhe, pasi të kryejnë pagesën përkatëse, do të mund t’i marrin brenda 1-5 ditëve. Ky aplikacion e rendit arkivin shqiptar ndër më novatorët, teksa module të ngjashme ka në vendet më të zhvilluara botërore, si Britania e Madhe, Franca, SHBA, por është vendi i parë Ballkanik, pas Turqisë, që ndjek praktikat më të mira ndërkombëtare.

Moduli “Arkivat on-line” u prezantua sot gjatë një aktiviteti të zhvilluar me studiues e studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, ku përshëndetën Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, znj. Senida Mesi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, z. Ardit Bido, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr. Sabri Laçi dhe ishin të pranishëm dhjetra profesorë e të ftuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido, prezantoi modulin duke bërë edhe blerjen e parë on-line të kopjeve të dokumenteve. “Ky është një prej kulmimeve të strategjisë së digjitalizimit që kemi dy vjet për të cilin po punojmë. Fakti që module të ngjashme kanë vetëm vendet më të zhvilluara botërore dhe asnjë nga vendet e rajonit, na vendos në pararojë në Ballkan për të shërbyer sa më shpejt dhe sa më mirë studiuesit shqiptarë dhe të huaj, duke i dhënë hov zhvillimit të kërkimit shkencor në vend”, tha z. Bido.

Zëvendëskryeministrja znj. Senida Mesi theksoi se shërbimi më i shpejtë i çdo qytetari është një prioritet i qeverisë shqiptare. “Ky aplikacion mundëson që në çdo kohë të mund t’i shërbehen studiuesit, pavarësisht nëse zyrat shtetërore janë të hapura a të mbyllura”, theksoi ajo. “Ne garantojmë mbështetje të plotë për iniciativa të tilla novatore që, në fakt, vijnë në përputhje edhe me prioritetet e qeverisë shqiptare për digjitalizimin dhe inovacionin. Njëkohësisht, nxisim bashkëpunimin me politikëbërjen me qëllimin që t’iu përgjigjemi nevojave të tregut dhe të qytetarëve.”

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Prof. Dr Sabri Laçi, falenderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe vlerësoi bashkëpunimin e rëndësishëm mes dy institucioneve, duke evidentuar hapjen e Masterit Profesional në Arkivistikë këto 10 vitet e fundit, ku mbas diplomimit janë angazhuar të gjithë të diplomuarit në zyra të ndryshme të Arkivave të vendit.

Gjithashtu Drejtoresha e Inovacionit të Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Romina Kostani, tha se kjo risi kaq e rëndësishme e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave që sjell blerjen e dokumenteve on-line është po aq e rëndësishme edhe për ne si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.”